Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë periudhës 08–12 qershor 2026, ka realizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të Planit Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve të EMPACT, nën udhëheqjen e EUROPOL-it, INTERPOL-it dhe Frontex-it.
Në kuadër të këtij plani operativ janë zhvilluar aktivitete të ndryshme, të cilat kanë përfshirë operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit me njerëz, operacione të përbashkëta me Inspektoratin Qendror të Punës, inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për kontrollimin e lokaleve me muzikë live dhe qendrave të masazhit, si dhe zbatimin e planeve taktike lidhur me eskortat.
Në kuadër të kontrolleve të përbashkëta të realizuara nga inspektorët e Inspektoratit Qendror të Punës, ekipet e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Policisë së Kosovës dhe MINT-it, nga aspekti i legjislacionit që mbikëqyr Inspektorati Qendror i Punës, janë kontrolluar subjekte afariste, me fokus në respektimin e legjislacionit që hyn në mandatin e IQP-së.
Raporti i inspektimeve:
- 90 subjekte të inspektuara;
- 345 të punësuar të evidentuar;
- 16 të punësuar pa leje pune;
- 49 shkelje të dispozitave të Ligjit të Punës.
Inspektorati Qendror i Punës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar për vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta, në bashkëpunim me institucionet vendore, me qëllim të luftimit të ekonomisë joformale, trafikimit me njerëz dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë së kundërligjshme, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.