Inspektorati Qendror i Punës njofton të gjithë punëkryerësit dhe investitorët në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët gjatë aksionit të fundit të inspektimit për kushtet e punës dhe nivelin e organizimit të SSHP-së në kantieret e tyre ndërtimore kanë pasur të ndaluara punimet me vendim për ndalim, që të mos ndërmarrin veprime ndërtimore dhe të mos heqin shiritat bllokues deri në plotësimin e të gjitha kërkesave ligjore të përcaktuara nga inspektorët e punës.
Një veprim i tillë bie ndesh me rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe me dispozitat e nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kapitulli “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, që ka të bëjë me cenimin e rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Ndaj kujtdo që ndërmerr veprime në kundërshtim me vendimet e inspektorëve të punës, përveç procedurës kundërvajtëse, do të iniciohet edhe procedurë penale në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, në përputhje me nenin 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rregullat e SSHP-së nuk janë dëshirë, por obligim ligjor dhe njerëzor për mbrojtjen e jetës së të punësuarve dhe shmangien e kostove nga aksidentet.
Prandaj, Inspektorati Qendror i Punës kërkon nga të gjithë punëkryerësit dhe investitorët që të jenë bashkëpunues me inspektorët e IQP-së, të respektojnë vendimet për ndalim të procesit të punës dhe të ndërmarrin masa për ngritjen e nivelit të SSHP-së në kantieret e tyre ndërtimore.
Paraprakisht, ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe angazhimin tuaj në ngritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë.