U.d Drejtori Ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, priti në takim Kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve, Jusuf Azemi, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe promovimit të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Gjatë takimit, palët u dakorduan të bashkëpunojnë ngushtë për organizimin e fushatave të përbashkëta vetëdijësuese, me qëllim informimin e punëdhënësve dhe punëtorëve për të drejtat dhe obligimet që rrjedhin nga legjislacioni i punës.
Po ashtu, u diskutua edhe çështja e pagës minimale dhe rëndësia e zbatimit të saj në përputhje me legjislacionin në fuqi, si një element i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave ekonomike të punëtorëve.
Palët vlerësuan rëndësinë e mbajtjes së takimeve të rregullta dhe koordinimit të vazhdueshëm për adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, me synim përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e zbatimit të legjislacionit të punës në Republikën e Kosovës.