Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka filluar sot aksionin e jashtëzakonshëm të inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, me fokus të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ky aksion përfshin të gjitha rajonet e Kosovës dhe synon rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe parandalimin e aksidenteve dhe incidenteve në vendin e punës.
Në kuadër të këtij aksioni, Inspektorati Qendror i Punës ka angazhuar mbi 90% të kapaciteteve të tij njerëzore, duke formuar 15 grupe inspektimi, të cilat do të zhvillojnë kontrolle intensive në terren në të gjitha rajonet e vendit.
Aksioni do të zhvillohet në dy ndërrime të punës dhe do të zgjasë për një periudhë prej 15 ditësh.
Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij ligjor dhe njofton opinionin publik dhe subjektet ekonomike se aktivitetet inspektuese do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të këtij aksioni, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm pune për të gjithë punëtorët.