Inspektorati Qendror i Punës prezanton Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Rasteve

Inspektorati Qendror i Punës, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), përmes projketit “Efikasiteti i Inspektoratit të Punës” financuar nga Qeveria e Suedisë, ka prezantuar zyrtarisht Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Rasteve. Ky projekt madhor synon modernizimin e plotë të inspektimeve të punës në Republikën e Kosovës përmes digjitalizimit të proceseve.

Kjo konferencë është organizuar me qëllim të prezantimit të rezultateve të fazës pilotuese para institucioneve, partnerëve socialë dhe akterëve relevantë institucionalë, si hap përmbyllës konsultativ para finalizimit të sistemit dhe hyrjes së tij në fuqi për përdorim zyrtar. Konferenca po ashtu synon të sigurojë mbështetje institucionale dhe koordinim ndërinstitucional për zbatimin e suksesshëm të reformës digjitale të inspektimeve të punës.

Risitë dhe përfitimet kryesore të këtij sistemi të ri janë:

Inspektime në kohë reale: Sistemi i ri do të mundësojë regjistrimin e inspektimeve direkt nga terreni në kohë reale, duke rritur shpejtësinë dhe saktësinë e të dhënave.

Më pak burokraci: Ky proces do të sjellë një ulje të ndjeshme të procedurave administrative, duke e bërë punën e inspektorëve më efikase.

Transparencë dhe siguri: Rritet transparenca e proceseve dhe siguria në punë për të gjithë punëtorët në Kosovë.

Identifikim i shpejtë i shkeljeve: Digjitalizimi do të ndihmojë zyrtarët në identifikimin më të shpejtë të shkeljeve ligjore dhe të sektorëve me rrezikshmëri të lartë.

Lehtësi për bizneset: Ndërmarrjet dhe bizneset do të përfitojnë nga procedura shumë më të qarta, si dhe nga një komunikim më i lehtë dhe i drejtpërdrejtë me institucionet.

Ky sistem tashmë është testuar me sukses nga inspektorët në të gjitha rajonet e Kosovës dhe pritet të rrisë ndjeshëm efikasitetin dhe llogaridhënien në terren.

Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në rrugën drejt modernizimit, me qëllim garantimin e të drejtave të punëtorëve dhe krijimin e një mjedisi të drejtë e të sigurt pune.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors